Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka goditur Napolin e Italisë, ku një konflikt familjar ka përfunduar në mënyrën më tragjike. Vëllai ka vrarë me thikë motrën e tij 22-vjeçare. Viktima është Jlenia (Ylenia) Musella, ndërsa autori i dyshuar i krimit është vëllai i saj, Giuseppe Musella, 28 vjeç, i cili tashmë ndodhet në burg me akuzën e vrasjes me dashje.
Ngjarja ka ndodhur në Conocal, në Ponticelli, zonë periferike në lindje të Napolit, e njohur për problematika të theksuara sociale dhe praninë e krimit të organizuar. Sipas rindërtimeve të para hetimore, mes vëllait dhe motrës ka pasur një debat të ashpër, i cili ka degraduar në dhunë fizike dhe më pas në vrasje.
Sherri për muzikën dhe qenin
Sipas deklarimeve të vetë Giuseppe Musellës dhe informacioneve të mbledhura nga hetuesit, konflikti mes dy të rinjve kishte nisur për arsye banale: zhurma e muzikës me volum të lartë dhe një grindje lidhur me qenin e familjes. Burime hetimore bëjnë me dije se Jlenia dyshohet se kishte goditur qenin, çka ka shkaktuar reagimin e ashpër të vëllait. Sherri ka vijuar në dy momente të ndryshme, duke u përshkallëzuar deri në përdorimin e një thike kuzhine.
Giuseppe, sipas rrëfimit të tij, e ka qëlluar motrën me një goditje të vetme pas shpine. Pas plagosjes, ai e ka futur të renë në makinë dhe e ka dërguar në spitalin “Villa Betania”, ku Jlenia ka mbërritur pa shenja jete. Pasi e ka lënë në duart e mjekëve, 28-vjeçari është larguar nga spitali, por më vonë është vetëdorëzuar në polici, i shoqëruar nga avokati i tij.
Pamjet e kamerave të sigurisë pranë spitalit kanë ndihmuar policinë në identifikimin e autorit, ndërsa gjatë marrjes në pyetje Giuseppe Musella ka pranuar autorësinë e krimit. Brenda 48 orëve ai do të dalë sërish përpara magjistratëve për seancën e konfirmimit të masës së arrestit, të lëshuar urgjentisht nga prokurori Ciro Capasso.
Hetimet dhe e shkuara familjare
Çështja po hetohet nga Skuadra e Policisë së Napolit, nën koordinimin e Prokurorisë. Trupi i pajetë i 22-vjeçares është vënë në dispozicion të autoriteteve për autopsi, ndërsa arma e krimit ende nuk është gjetur.
Nga hetimet ka dalë në pah një kontekst familjar problematik. Dy të rinjtë, të cilët jetonin vetëm në të njëjtin apartament, kishin ndërruar mbiemrin, pasi ishin fëmijë të një personi të njohur për drejtësinë italiane, i përfshirë në rrethin e krimit të organizuar. Sipas burimeve, mes vëllait dhe motrës kishte konflikte të shpeshta dhe marrëdhënie të tensionuara.
Hetuesit po përpiqen të verifikojnë nëse dinamika e përshkruar nga autori përputhet plotësisht me provat dhe dëshmitë e mbledhura, pasi disa elementë mbeten ende të paqartë, përfshirë vendin e saktë ku ndodhi goditja fatale dhe momentet e fundit të jetës së Jlenias.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Don Maurizio Patriciello, prifti i njohur i Caivanos ka theksuar se izolimi social, mungesa e shtetit dhe varfëria krijojnë terren për tragjedi të tilla. /RaiNews.it/