×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Sllovenia po planifikon ligj që ndalon qasjen në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Reporteri
    05 Shkurt 2026 | 16:45

    Sllovenia po përgatit një draft-ligj që ndalon qasjen në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç, njoftoi të enjten në një konferencë për shtyp zëvendëskryeministri Matej Arcon, shkruan Reuters.

    Sllovenia, me një popullsi prej rreth 2 milionësh, po ndjek shembullin e Spanjës dhe Greqisë, të cilat më herët këtë javë propozuan ndalime për përdorimin e mediave sociale nga adoleshentët, si një shenjë e ashpërsimit të qëndrimeve në Evropë ndaj teknologjisë që disa thonë se është dizajnuar për t’u bërë varëse.

    Arcon tha se Ministria e Arsimit kishte nisur këtë iniciativë, duke u bazuar në përvojat e vendeve të tjera, dhe se ekspertë të arsimit dhe teknologjive dixhitale do të përfshihen gjithashtu në hartimin e ligjit, që ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.

    “Ky ka qenë një temë shumë e diskutuar në mbarë botën dhe në Evropë në javët dhe muajt e fundit, dhe me këtë, ne si qeveri po tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë,” tha Arcon pas mbledhjes së qeverisë.

    Ai tha se qeveria dëshiron të rregullojë rrjetet sociale ku shpërndahet përmbajtja, duke përmendur TikTok, Snapchat dhe Instagram, ndër të tjera.

    Ndërkohë, Spanja synon të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa Greqia është afër njoftimit të një ndalimi të ngjashëm për fëmijët nën 15 vjeç, sipas një burimi të lartë qeveritar.

    Vende të tjera, si Britania dhe Franca, po shqyrtojnë gjithashtu masa më të rrepta për mediat sociale, pasi Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi qasjen në këto platforma për fëmijët nën 16 vjeç.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!