×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Presidenti i Panamasë reagon ndaj kërcënimit të Kinës: Ne respektojmë ligjin

    Reporteri
    05 Shkurt 2026 | 17:15

    Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, ka reaguar ndaj kërcënimit të Kinës se shteti i Amerikës qendrore do të paguante “një çmim të majmë” pasi një kompani kineze me bazë në Hong Kong u dëbua nga dy porte në Kanalin strategjik të Panamasë për shkak të presionit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Në një postim në rrjete sociale të bërë të mërkurën, presidenti Mulino hodhi poshtë “fuqishëm” kërcënimin e qeverisë kineze kundër vendit të tij, kërcënim ky i ardhur pasi Gjykata Supreme e Panamasë shpalli pavlefshmërinë e një kontrate që i kishte lejuar kompanisë CK Hutchison me seli në Hong Kong të operonte dy porte në kanal.

    Në postimin e tij, Mulino iu kundërpërgjigj Pekinit, duke insistuar se Panamaja ishte një vend që mbështet forcën e ligjit dhe respekton vendimet e gjykatës, e cila është një organ i pavarur nga qeveria.

    Ai shtoi se Ministria e Jashtme e Panamasë do të lëshonte një deklaratë mbi këtë çështje “dhe do të miratonte vendimet përkatëse”.

    Humbja e koncesionit të portit të CK Hutchison në kanalin e Panamasë tashmë simbolizon luftën e influencës dhe tregtisë mes SHBA-ve dhe Kinës. Tensionet erdhën pasi Presidenti Trump kërcënoi se do të merrte kontroll Kanalin e Panamasë, duke paralajmëruar edhe për veprime ushtarake si dhe duke bërë thirrje për të anuluar kontratat e kompanisë CK Hutchison.

    Javën e shkuar Gjykata Supreme e Panamasë dha vendimin se koncesioni i CK Hutchison ishte antikushtetues, vendim ky që qeveria kineze e quajti “absurd” dhe “të turpshëm”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!