×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Deklarata përfundimtare

    Prokurori Quick: Demaçi ishte vartës i Thaçit

    Reporteri
    09 Shkurt 2026 | 18:40

    Prokurori Nathan Quick gjatë deklaratës përfundimtare të Prokurorisë ka deklaruar se Adem Demaçi kishte rol të kufizuar në krijimin e institucionet dhe se ishte vartës i Hashim Thaçit.

    Quick tha se mbrojtja e Thaçit përpiqet në mënyrë të vazhdueshme që të thotë se ishte Demaçi ai që kishte autoritet dhe pozicion. Megjithatë, Quick thotë se kjo ishte e pabazuar.

    “Demaçi kishte një rol të kufizuar në krijimin e institucioneve të Kosovës por ai nuk ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Edhe ai ishte në vartësi të Thaçit”.

    Quick tha se krahas rolit politik, Kadri Veseli gjithashtu ka qenë shef i shërbimit informativ i njohur ndryshe si G2.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Betimi për Drejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!