Moska ka hapur një front të ri në përpjekjet për të forcuar kontrollin mbi hapësirën digjitale, duke ndërmarrë masa ndaj platformave të huaja të mesazherisë si WhatsApp dhe Telegram. Autoritetet ruse thonë se veprimet lidhen me mosrespektimin e ligjeve kombëtare, ndërsa kompanitë i konsiderojnë ato si përpjekje për t’i shtyrë qytetarët drejt një aplikacioni të kontrolluar nga shteti.
WhatsApp reagoi publikisht duke deklaruar se autoritetet ruse kanë tentuar ta bllokojnë plotësisht platformën. Në një deklaratë në rrjetin social X, kompania theksoi se masa synon të detyrojë përdoruesit të kalojnë në një aplikacion shtetëror.
“Izolimi i mbi 100 milionë përdoruesve nga komunikimi privat dhe i sigurt është një hap prapa dhe mund të çojë në më pak siguri për qytetarët në Rusi”, thuhet në reagimin zyrtar.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi vendimin, duke theksuar se ai është marrë për shkak të mosrespektimit të legjislacionit rus nga kompania Meta, pronare e WhatsApp-it.
“Nëse kompania nuk harmonizohet me ligjet ruse, nuk ka asnjë mundësi për rishikim të vendimit”, deklaroi Peskov.
Në dhjetor, autoriteti rus për komunikimet, Roskomnadzor, akuzoi platformën se përdorej për organizimin e akteve terroriste, mashtrime dhe vepra të tjera penale, si dhe për mosruajtjen e të dhënave të qytetarëve rusë brenda territorit të Federatës Ruse.
Në shënjestër ka përfunduar edhe Telegram, aplikacioni i themeluar në vitin 2013 nga Pavel Durov dhe që numëron rreth 100 milionë përdorues në Rusi. Ndryshe nga WhatsApp, Telegram nuk është bllokuar plotësisht, por i është kufizuar dhe ngadalësuar aksesi një praktikë e njohur si “throttling”.
Roskomnadzor ka paraqitur arsye të ngjashme si në rastin e WhatsApp-it, duke pretenduar se platforma nuk ka parandaluar përdorimin nga grupe kriminale dhe terroriste, si dhe nuk ka garantuar mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve rusë.
Pavel Durov reagoi duke akuzuar autoritetet ruse se po kufizojnë qëllimisht aksesin në Telegram për të detyruar qytetarët të kalojnë në një aplikacion shtetëror “të krijuar për mbikëqyrje dhe censurë politike”.
Sipas kritikëve, masat ndaj platformave të huaja janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të promovuar aplikacionin vendas “Max”, i frymëzuar nga modeli kinez WeChat. Aplikacioni synon të kombinojë mesazherinë, pagesat dhe shërbimet qeveritare në një platformë të vetme.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se Max nuk ofron enkriptim “end-to-end”, teknologji që lejon vetëm dërguesin dhe marrësin të lexojnë mesazhet, pa akses nga palë të treta, përfshirë vetë kompaninë.
Në vitin 2025, qeveria ruse e bëri të detyrueshme instalimin e paracaktuar të Max në të gjitha pajisjet e shitura në Rusi. Me kufizimet ndaj WhatsApp dhe Telegram, aplikacioni “Made in Moscow” mund të përfitojë nga një rritje e detyruar e përdoruesve, në kuadër të asaj që Kremlini e quan forcim të sovranitetit digjital.