Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Nenin 31 të Projektbuxhetit për vitin 2026, duke e cilësuar si dispozitë antikushtetuese, dhe i ka kërkuar Ministrit të Financave, Hekuran Murati, që të rishikojë përmbajtjen e tij.
Gruda tha se nëse kjo nuk ndodh, buxheti do të ngarkohet më tej, pasi shtesa prej 0.5% për përvojën e punës së shërbyesve civilë duhet të paguhet që nga momenti i aktgjykimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe jo nga 1 janari, siç është paraparë në projektbuxhet.
“Ky nen është antikushtetues. Në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2024 thuhet qartë që çdo shërbyes civil duhet të marrë 0.5% për përvojën e punës dhe Ligji i Pagave duhet të rishikohet. Meqenëse ligji nuk është ndryshuar, në dokumentin qeveritar është vendosur që kjo hyn në fuqi nga 1 janari, por duhet të paguhet edhe për vitet 2024 dhe 2025. Nëse nuk paguhet, shkelni të drejtat e shërbyesve civilë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gruda.
Ai paralajmëroi se nëse nuk bëhet korrigjimi i nevojshëm, shërbyesit civilë do të kenë të drejtë të kërkojnë kompensim në gjykatat e rregullta, duke përfshirë edhe interesin për vonesën, duke ngarkuar më tej buxhetin shtetëror.