Diplomacia dhe përgatitjet ushtarake po zhvillohen njëkohësisht në përballjen historike mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Sot në Gjenevë zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve mes delegacioneve të dy vendeve, zyrtarisht të përqendruara vetëm te programi bërthamor iranian.
Delegacioni iranian drejtohet nga ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, i cili një ditë më parë u takua me drejtorin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Mariano Grossi, për diskutime teknike në prag të negociatave. Pala amerikane përfaqësohet nga dyshja Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Qëndrimi i Teheranit u artikulua në prag të takimit nga sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Ali Larijani, i cili deklaroi se Irani nuk do të negociojë për programin e raketave. Megjithatë, për të provuar se vendi nuk synon armë bërthamore, Teherani është i gatshëm të lejojë inspektime të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike edhe në objekte nëntokësore dhe në zona malore.
Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane ka nisur stërvitje ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, korridori detar nga ku kalon rreth 20% e naftës së tregtuar në botë. Kjo shihet si përgjigje ndaj forcave detare amerikane të dërguara në rajon nga presidenti Donald Trump, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, mbërritjen e pritshme të USS Gerald R. Ford, si dhe 18 avionë luftarakë F-35 të nisur nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas burimeve iraniane, Teherani është i gatshëm për disa lëshime. Një prej tyre lidhet me pasurimin e uraniumit: Irani do t’i ofrojë SHBA-ve nivelin 1.5%, më i ulët edhe se ai i parashikuar nga marrëveshja bërthamore Joint Comprehensive Plan of Action, në këmbim të heqjes së sanksioneve. Ky kompromis do t’i lejonte Iranit të ruajë pasurimin në territorin e vet, një fitore politike për regjimin e lindur nga revolucioni islamik i vitit 1979, i cili sot ndodhet nën presion të fortë të brendshëm dhe të jashtëm.
Situata e brendshme në Iran mbetet dramatike. Shtypja e protestave të janarit ka qenë jashtëzakonisht e ashpër. Sipas organizatës Human Rights Activists, janë vrarë mbi 7 mijë persona, ndërsa autoritetet iraniane flasin për rreth 3 mijë viktima. Më shumë se 40 mijë njerëz janë arrestuar dhe kanë nisur të shpallen dënime me vdekje, të shoqëruara me “rrëfime” të transmetuara në televizion, për të cilat aktivistët thonë se janë marrë nën dhunë.
Organizata Iran Human Rights raporton se 18-vjeçari Saleh Mohammadi është dënuar me vdekje për vrasjen e një polici gjatë protestave të 8 janarit në Qom. Sipas organizatës, gjykata ka refuzuar pretendimin e tij se rrëfimet janë marrë nën torturë dhe ka urdhëruar ekzekutimin publik.
Televizioni Iran International, i lidhur me opozitën në mërgim, raporton se një gjykatë ka dhënë dënime me vdekje për 14 protestues, përmes një procedure online të drejtuar nga gjyqtari Abolghasem Salavati, i njohur për vendime të shumta kapitale.