Pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila shpalli antikushtetuese tarifat globale të Donald Trumpit, mbi 1 mijë e 800 kompani vendase, përfshirë gjigantë si FedEx dhe Costco, kanë depozituar padi ndaj administratës për të rimarrë paratë e tyre. Gjatë 10 muajve të zbatimit, këto tarifa i sollën arkës së shtetit rreth 133 miliardë dollarë, të cilat tani kërkohen mbrapsht me interes.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka kritikuar ashpër gjykatën, duke paralajmëruar se betejat ligjore mund të zgjasin mbi 5 vite. Ndërsa kompanitë e mëdha kanë ngritur grupe të posaçme avokatësh, bizneset e vogla mbeten në pritje, me shpresën se Doganat do të bëjnë rimbursimin automatik.
Pavarësisht goditjes, Trump nuk tërhiqet. Nga 24 shkurti kanë hyrë në fuqi tarifa të reja 10% për gjithë mallrat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Administrata po shqyrton mundësinë që të rrisë tarifat deri në 15%, por këtë herë për një afat të kufizuar prej 150 ditësh, duke kërkuar miratimin e Kongresit për çdo zgjatje tjetër.
Në Bruksel, grupet kryesore europarlamentare po shqyrtojnë mundësitë për pezullimin e marrëveshjes tregtare me Uashingtonin, e nënshkruar vitin e kaluar, pasi sipas tyre është e pavlefshme për shkak se nuk respektohet nga pala tjetër.