Pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar të bëra këtë të enjte nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, janë tre emra që kanë mbetur pa asnjë post.
Fjala është për Belinda Ballukun, Elisa Spiropalin dhe Pirro Vengun.
Shkarkimi nga detyra i Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë, vjen pas një kalvari të gjatë debatesh, që nisi me marrjen e saj si e pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pezullimin e saj nga detyra prej GJKKO-së, kalimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e me radhë. Procesi vazhdon.
Balluku në detyrën e saj si zv.kryeministre do të zëvendësohet nga Albana Koçiu, e cila deri më sot mbante detyrën e Ministres për Punët e Brendshme.
Ndërkohë postin si ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë e merr një emër i ri, Enea Karakaçi.
Ndërkohë Elisa Spiropali e cila deri më sot mbante detyrën si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet jashtë qeverisë. Postin e saj e merr Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në BE.
Nga kabineti qeveritar, përveç Ballukut dhe Spiropalit është larguar edhe Pirro Vengu. Postin si ministër i Mbrojtjes e ka marrë Ermal Nufi, e cili më parë ka qenë zv.sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.