Milani dhe Rafael Leao kanë nisur bisedimet për zgjatjen e bashkëpunimit, duke synuar një kontratë të re deri në qershor të vitit 2030.
Marrëveshja e re parashikon një shtyrje me dy vite të skadencës aktuale dhe një rritje të pagës për sulmuesin portugez. Kjo lëvizje e drejtuesve synon të blindojë yllin e skuadrës, para ofertave të mundshme që priten nga Premier League gjatë verës.
Pavarësisht disa problemeve fizike, Leao ka regjistruar nëntë gola dhe dy asiste në 20 ndeshje gjatë këtij sezoni. Paralelisht me këtë proces, drejtuesit kuqezi kanë arritur të sistemojnë marrëdhëniet me portierin Maignan dhe po punojnë për të bindur Luka Modriç që të qëndrojë edhe për një tjetër vit në “San Siro”.
Kjo strategji tregon dëshirën e klubit për të ndërtuar të ardhmen mbi liderët aktualë të repartit të mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit. Një përgjigje më e qartë për objektivat e sezonit pritet të vijë pas derbit vendimtar të kësaj të diele.
Për momentin, Leao është shprehur i gatshëm për të thënë “po”, duke konfirmuar lidhjen e tij të fortë me ngjyrat kuqezi.