Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar nënkryetarin e saj dhe zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Kosovës, Glauk Konjufca, për postin e Presidentit të ri të vendit.
Propozimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga kjo parti shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në komunikatën për mediat, LVV bëri të ditur se vendimi për të kandiduar Konjufcën erdhi pas një sërë përpjekjesh për të gjetur një emër të përbashkët, që do të mbështetej nga opinioni i gjerë politik. Sipas njoftimit, partia ka zhvilluar takime me subjektet e tjera parlamentare, por nga këto diskutime nuk ka rezultuar asnjë propozim konkret nga ana e opozitës, ndërsa janë refuzuar edhe emra të ofruar nga vetë LVV-ja.
Në arsyetimin e saj, LVV theksoi përvojën politike dhe institucionale të Glauk Konjufcës, duke e cilësuar atë si një figurë me kontribut të gjatë në jetën publike të vendit. Ai aktualisht mban postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka qenë kryetar i Kuvendit dhe është deputet në shtatë legjislatura. Po ashtu, në njoftim u theksua se Konjufca është një nga politikanët më të votuar në historinë e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, pavarësisht shpalljes së kandidaturës, LVV ka lënë të hapur mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje politike. Ajo u bëri thirrje edhe një herë partive opozitare që të propozojnë kandidatët e tyre për postin e presidentit, duke ofruar madje mbështetje për sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme nga grupi i saj parlamentar, nëse një gjë e tillë kërkohet.
“Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese, ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar”, thuhet në reagimin e partisë, e cila shprehu bindjen se situata aktuale mund të tejkalohet përmes dialogut politik dhe se zgjedhjet e reja janë të evitueshme.
Sipas LVV-së, në vend ka shumë figura të denja për pozitën e presidentit, rreth të cilave mund të ndërtohet një konsensus i gjerë politik. Partia vlerëson se në këtë fazë, shpallja e zgjedhjeve të reja do të ishte e panevojshme dhe se ekziston hapësirë e mjaftueshme për pajtueshmëri mes forcave politike me qëllim që të sigurohet funksionimi i rregullt institucional dhe stabiliteti politik në vend.