Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë sot se s’do të ketë më takime me Albin Kurtin për çështjen e presidentit, meqë procesi është kompromentuar.

Abdixhiku ka thënë se të mërkurën u mor vesh se derisa Kurti ka qenë duke biseduar me opozitën, në anën tjetër ka bërë skenarë për të fajësuar opozitën, duke i thënë presidentes Osmani që të futet në garë sa për të bërë kuorumin për Glauk Konjufcën.

“Procesi është kompromentuar tani. Mbrëmë kuptova nga deklarimet e Presidencës se deri sa ne kemi qenë në biseda, ata kanë shkuar kanë kërkuar fajësime për opozitën. Në një anë je në tavolinë me dikë, në anën tjetër bën skenar të fajësimit. Ky është kompromentim i rëndë i procesit, prandaj s’shoh arsye të kemi takime të tjera për këtë çështje”, ka thënë Abdixhiku të enjten.

Reklamë

Aktualisht, i vetmi kandidat zyrtarisht i propozuar për president është Glauk Konjufca nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se shpreson që do të paraqitet një kandidaturë e dytë për president të Kosovës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Të njëjtën gjë e kërkoi edhe Konjufca.

“Partitë politike, PDK dhe LDK, nëse nuk do ta votojnë Glauk Konjufcën, kë do ta votoni. Kush është ai që ata do ta votonit nëse ai nuk jam unë. Duhet me nxjerr një emër ata. Duhet ta propozojë opozita, kështu është logjika.

Reklamë

Ka shumë njerëz më të mirë se unë, shumë njerëz më të përgatitur se unë. Le ta propozojnë…po Vjosa Osmani, unë do ta votoj”, tha Konjufca.

Tutje Konjufca tha se nëse opozita nuk propozon një emër, ky tregon përcaktim të qartë për të shkuar në zgjedhje.

“Nëse opozita nuk e propozon një emër, atëherë ky është përcaktim i qartë për me shku në zgjedhje”, tha Konjufca./Reporteri.net/