Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sonte do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për shqyrtimin e propozim-amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca është thirrur për në orën 20:00 në sallën e seancave.
Megjithatë, ndonëse është paralajmëruar për këtë orar, seanca ende nuk ka nisur.
“Shqyrtimi i propozim-amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Vendi: Salla e seancave. Koha: 20:00”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Komisioni për Legjislacion ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ndryshimet u miratuan me 6 vota pro. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan kundër.
Votimit i parapriu një përplasje e deputetëve tëVetëvendosjes me ata të opozitës.
Kryetari i këtij komisioni, Përparim Gruda, e cilësoi rrëshqitje drejt autoritarizmit “ngutinë” për votimin e këtyre ndryshimeve. Ai tha se nuk mund t’i sillen Kuvendit amendemente të para një dejkade.
Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u shprehën se nuk ka rëndësi fakti që këto ndryshime janë që gati 15 vjet në sirtar, por po propozohen në ditën e fundit të afatit për të zgjedhur presidentin e ri.
Me këto ndryshime të propozuara, presidenti i shtetit duhet të zgjidhet me votë direkt nga populli. Ato kanë qenë në sirtar që nga viti 2011, kur Gjykata Kushtetuese pati dhënë vendim duke rrëzuar disa propozime e duke miratuar disa të tjera.
Çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet.
Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
