Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj 19 zyrtarëve dhe entiteteve nga Irani, të akuzuar për shkelje “të rënda” të të drejtave të njeriut. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, përmes një mesazhi në rrjetin social X.
Sipas saj, ky vendim synon të dërgojë një sinjal të qartë ndaj autoriteteve iraniane.
“Mesazhi ynë për Teheranin është i qartë: E ardhmja e Iranit nuk mund të ndërtohet mbi represionin”, deklaroi Kallas.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se në listën e sanksioneve nuk përfshihet udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili mori këtë post pas vdekjes së babait të tij, Ali Khamenei.
Ky i fundit u vra më 28 shkurt, në ditën e parë të sulmeve ajrore amerikano-izraelite ndaj Iranit.
Sipas të njëjtave burime, masat e reja nuk lidhen drejtpërdrejt me luftën aktuale në Lindjen e Mesme, por me situatën e brendshme në Iran dhe shtypjen e protestave e të drejtave civile.
Para këtij vendimi, BE kishte vendosur tashmë sanksione ndaj rreth 247 individëve dhe 50 entiteteve iraniane për shkelje të të drejtave të njeriut. Masat përfshijnë ngrirjen e aseteve në territorin e BE-së, si dhe ndalimin e hyrjes në vendet anëtare të unionit.