Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka paditur Harvard University lidhur me atë që e cilëson si dështim të universitetit për të mbrojtur studentët hebrenj dhe izraelitë në kampus, duke kërkuar rikuperimin e miliarda dollarëve fonde publike.
Sipas një padie të depozituar në një gjykatë federale në Boston, Departamenti i Drejtësisë pretendon se Harvard ka treguar “indiferencë të qëllimshme” ndaj klimës armiqësore në kampus dhe ka refuzuar të zbatojë rregullat e veta kur viktimat janë studentë hebrenj ose izraelitë, raporton Reuters.
Në dokumentin e padisë thuhet se kjo sjellje ka dërguar një mesazh të qartë për komunitetin hebre dhe izraelit në Harvard, duke krijuar perceptimin se ata po përjashtohen qëllimisht dhe po privohen nga mundësi të barabarta arsimore.
Universiteti Harvard nuk ka dhënë një reagim të menjëhershëm lidhur me akuzat.
Padia e së premtes vjen më pak se dy muaj pasi presidenti Trump deklaroi se administrata e tij po kërkonte 1 miliard dollarë nga Harvard për të zgjidhur hetimet mbi politikat e institucionit. Kjo pasoi raportime të mëparshme se kërkesa fillestare prej 200 milionë dollarësh ishte tërhequr.
Rasti aktual pason gjithashtu një tjetër padi të ngritur më 13 shkurt, në të cilën qeveria akuzonte Harvardin për mosbashkëpunim me një hetim federal dhe kërkonte dokumente për të verifikuar nëse universiteti kishte përdorur në mënyrë të paligjshme kriterin e racës në procesin e pranimit.