Eksperti i politikës së jashtme dhe sigurisë, James Frinzi, ka vlerësuar lidershipin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se ai ishte një lider i jashtëzakonshëm dhe se duhet të kthehet në Kosovë.

Frinzi ka folur për zhvillimet në Gjykatën Speciale, duke kritikuar atë që e konsideron standard të dyfishtë në trajtimin e shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.

“Nëse shohim se sa pak burra kanë mundur të ofrojnë lidershipin që ka pasur Thaçi, kuptojmë se ai nuk ka qenë vetëm një president, por edhe një lider i jashtëzakonshëm. Pa dyshim, ai duhet të kthehet në Kosovë”, ka deklaruar Frinzi.

Reklamë

Ai ka thënë se në politikën e Ballkanit ekzistojnë standarde të dyfishta, ku veprimet e Serbisë, sipas tij, anashkalohen, ndërsa ato të shqiptarëve shkaktojnë reagime ndërkombëtare.

“Ka aq shumë standarde të dyfishta në politikën e Ballkanit. Çfarëdo që bën Serbia, futet nën tepih, ndërsa çfarëdo që bëjnë shqiptarët shkakton një krizë ndërkombëtare apo, së paku, rajonale”, ka thënë ai për KlanKosova.

Frinzi ka përmendur edhe trajtimin e shqiptarëve në Serbi, duke theksuar se rastet që lidhen me ta nuk marrin vëmendjen e duhur ndërkombëtare.

Ai ka kritikuar gjithashtu reagimin ndaj dënimeve në rastet që lidhen me ish-krerët e UÇK-së, duke pretenduar se serbët kanë marrë dënime më të ulëta në gjykata.

Duke folur për ish-presidentin Thaçi, Frinzi ka përmendur edhe shembullin e George Washingtonit.

Reklamë

“George Washingtoni çliroi kolonitë, ndërsa Thaçi ishte çlirimtar i shqiptarëve. Çfarë mesazhi po i dërgoni botës nëse dikush që ka qenë çlirimtar mund të përfundojë në burg? A është ky mesazhi që duam të përcjellim?”, është shprehur ai.

Në fund, Frinzi ka paralajmëruar se një qasje e tillë mund të ketë pasoja përtej Kosovës, duke thënë se mesazhi që i përcillet botës prek të gjithë.