Të shtunën e 21 marsit, Sassuolo ishte mysafir i Juventusit në “Allianz Stadium”, dhe ylli kryesor nga ajo natë doli portieri i kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric.
Gardiani dardan u shpall lojtari i ndeshjes, si nga Serie A, ashtu edhe nga faqet e speciliazuara për vlerësimet e futbollistëve.
Muric ia siguroi skuadrës së tij një pikë të madhe në Torino, me pritjet e tij të jashtëzakonshme përgjatë tërë ndeshjes.
Ai madje e priti edhe penalltinë e Manuel Locatellit në minutën e 87-të, duke e mbajtur rezultatin në 1-1.
Në përgjithësi, Muric pati shtatë pritje, me gjashtë prej tyre që erdhën nga goditjet brenda zonës së 16-shit.
Përmes një videoje në rrjetet sociale, klubi i tij, Sassuolo krenohet me pritjet që ai i bëri në këtë përballje.
Faqja zyrtare e Sassuolos në mbishkrimin e videos nuk ka shkruar asgjë, vetëm se ka vendosur dy “emoji”, një “X” dhe një me doreza (që përdoren sikur të ishin të portierit).