Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se administrata duhet të përgatitet për mundësinë që negociatat me Iranin mund të dështojnë.
Rubio nuk pranoi të zbulojë me kë po komunikon SHBA-ja, duke thënë se kjo ndoshta do t’i fuste ata në telashe me disa grupe të tjera brenda Iranit, raporton BBC, përcjell Reporteri.net.
“Por në fund të ditës duhet të shohim nëse këta njerëz përfundojnë duke qenë ata që janë në pushtet”, ka deklaruar Rubio.
Trump shkroi në Truth Social se SHBA-ja ishte “në diskutime serioze me NJË REGJIM TË RI, DHE MË TË ARSYESHËM, për t’i dhënë fund operacioneve tona ushtarake në Iran”.
I pyetur për këtë postim, Rubio tha “nëse ka njerëz të rinj në pushtet që kanë një vizion më të arsyeshëm për të ardhmen, kjo do të ishte një lajm i mirë… Por duhet gjithashtu të jemi të përgatitur për mundësinë, madje edhe probabilitetin që kjo të mos jetë kështu.”
Irani ka pranuar se mesazhet po përcillen përmes ndërmjetësve pakistanezë, por mohon përfshirjen e drejtpërdrejtë në bisedime, ndërsa një zëdhënës i ministrisë së jashtme i quajti propozimet e SHBA-së “të tepruara”./Reporteri.net