BBC ka shkarkuar prezantuesin e mëngjesit të Radio 2, Scott Mills, me arsyetimin për sjellje jo të hijshme.
Largimi i tij ka qenë i menjëhershëm nga kompania mediatike, gjë që ka thelluar edhe “krizën” e brendshme të saj. Po kështu, pritet dhe largimi nga kompania i drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, i cili do të zëvendësohet nga Matt Brittin (ish-shefi ekzekutiv i Google).
Ajo që dihet për Mills është se Policia Metropolitane në vitin 2016 ka nisur hetime ndaj tij për abuzim seksual ndaj një djali adoleshent. Nuk u ngritën akuza ndaj tij për shkak të provave të pamjaftueshme, por padyshim që mbetet një “njollë e zezë” për të.
Vetë gazetarët e BBC-së, në një artikull për këtë çështje, shkruajnë se nuk dihet saktësisht nëse ky hetim ka qenë arsyeja për shkarkimin e tij.
Mills u bashkua me BBC Radio 1 në vitin 1998 si prezantues i emisionit të mëngjesit dhe më pas u bë emër akoma më i njohur duke prezantuar emisionin e tij të pasdites.
Ai u transferua në Radio 2 për të zëvendësuar Steve Wright në programin e pasdites së ditëve të javës në vitin 2022.
Në janar të vitit 2025, Mills mori drejtimin e emisionit kryesor të mëngjesit në Radio 2, duke zëvendësuar Zoe Ball.