Ndërsa Teherani dhe Uashingtoni duket se po përgatiten për një raund tjetër bisedimesh për t’i dhënë fund luftimeve të nisura nga sulmi SHBA–Izrael, disa nga çështjet më të vështira mbeten ende të pazgjidhura, përfshirë statusin e Ngushticës së Hormuzit, e cila është bllokuar.
Mijëra detarë mbeten të bllokuar në këtë rrugë ujore jetike, e cila zakonisht shërben si kalim për rreth një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror. Qarkullimi i naftës nëpër këtë kanal është ngadalësuar ndjeshëm që nga fundi i shkurtit, duke u reduktuar në nivele minimale dhe përbëhet kryesisht nga nafta iraniane, sipas kompanisë konsulente Rystad Energy.
Teherani është i vendosur të ruajë një nivel kontrolli mbi këtë ngushticë, një rrugë ndërkombëtare detare të cilën autoritetet iraniane në praktikë e kanë bllokuar që nga fillimi i luftës, duke rritur kostot e energjisë në mbarë botën.
Disa analistë tani parashikojnë mundësinë e vendosjes së një sistemi tarifimi të përhershëm për anijet që kalojnë në këtë rrugë ujore, megjithëse me disa kufizime të rëndësishme. Ende nuk është e qartë nëse SHBA do të pranonte një zgjidhje të tillë, e cila mund t’i jepte Iranit ndikim shumë të madh mbi ekonominë globale.
Për momentin, kalimet e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit mbeten të kufizuara, pasi kanë rënë ndjeshëm nga mbi 100 kalime sa ishin në ditë para nisjes së konfliktit. Midis së premtes dhe së dielës kanë kaluar 36 anije, ndërsa e shtuna shënoi “numrin më të lartë” që nga fillimi i marsit, raportoi të hënën S&P Global Market Intelligence. Mes tyre ishin edhe katër anije pasagjerësh.
Të paktën 27 anije iraniane kanë kaluar nëpër këtë kanal që nga 13 prilli, kur ShBA-ja vendosi bllokadën, konfirmoi të martën për CNN kompania e analizës së transportit detar Kpler. Gjatë kësaj periudhe, CENTCOM ka urdhëruar gjithashtu disa anije të ndryshojnë kurs.
Transporti detar nëpër ngushticë “mbetet shumë i kufizuar,” tha një ofrues i të dhënave.
“Ky ndërprerje ka gjasa të vazhdojë të paktën deri në fund të majit, duke mbajtur tregjet e energjisë të paqëndrueshme dhe çmimet të larta,” deklaroi të martën CRU Group, që monitoron çmimet dhe furnizimin e mallrave.
“Mungesa e një marrëveshjeje për rikthimin e qarkullimit nëpër Hormuz do të kishte pasoja të rëndësishme për ekonominë globale,” shtoi kompania.
/Reporteri.net/