Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të martën se pret të rifillojë bombardimet ndaj Iranit, ndërsa armëpushim 14-ditor po i afrohet përfundimit, pa asnjë marrëveshje në horizont, raporton The Guardian, përcjell Reporteri.net.
Sipas Trump, kjo është qasje më e mirë për të hyrë në negociata.
“Pres që do të bombardojmë sepse mendoj se kjo është një qasje më e mirë për të hyrë në negociata….Jemi gati të veprojmë. Ushtria është shumë e gatshme”, ka deklaruar Trump.
Trump tha se nuk do ta zgjasë armëpushimin.
“Nuk dua ta bëj këtë. Nuk kemi aq shumë kohë”, ka thënë Trump.
Ai shtoi se SHBA është në një pozitë të fortë negociuese dhe në fund do të sigurojë atë që e quajti një marrëveshje të shkëlqyer – megjithëse afati kohor dhe kostoja mbeten të paqarta.
Pavarësisht tonit të tij të ashpër, Trump në të njëjtën kohë la të kuptohet se një raund i ri negociatash mbetet ende i mundur.
JD Vance dhe kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, pritej të takoheshin në Islamabad për një raund tjetër bisedimesh të martën. Megjithatë, nënpresidenti amerikan u pa në Shtëpinë e Bardhë të martën pasdite, gjë që e bënte të pamundur që ai të arrinte në kohë për udhëtimin./Reporteri.net