Gazetarët e transmetuesve publikë në Republikën Çeke kanë paralajmëruar grevë nëse qeveria e kryeministrit miliarder Andrej Babiš nuk tërhiqet nga plani për të hequr tarifat e licencës dhe për ta kaluar financimin e mediave nën kontrollin e shtetit.
Sipas propozimit të qeverisë, sistemi aktual, ku familjet paguajnë drejtpërdrejt për mediat e shërbimit publik do të zëvendësohet me financim nga buxheti shtetëror. Ministri i Kulturës, Oto Klempíř, deklaroi javën e kaluar se “tarifat e licencës do të anulohen”.
Ky ndryshim ishte pjesë e premtimeve elektorale të partisë populiste Ano (Po), e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të tetorit të kaluar. Megjithatë, nisma ka shkaktuar reagime të forta në vend.
Të mërkurën, mijëra studentë protestuan në Pragë, duke marshuar nga sheshi Jan Palach me thirrjet: Nuk do t’ju lejojmë të na merrni mediat.
Përfaqësues të mediave publike e konsiderojnë projektligjin si kërcënim të drejtpërdrejtë për pavarësinë editoriale. Pavla Kubálková nga komiteti i grevës së Televizionit Çek u shpreh se ndryshimi i modelit të financimit “hap rrugën për ndikim politik mbi një institucion që ka funksionuar për dekada në mënyrë të pavarur”.
Projektligji parashikon edhe shkurtime të ndjeshme buxhetore: rreth 48 milionë paund më pak financim në vitin 2027. Televizioni Çek pritet të humbasë gati një të tretën e buxhetit, ndërsa Radio Çeke rreth një të pestën.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Radios Çeke paralajmërojnë se financimi direkt nga shteti u jep politikanëve një mjet për të ndikuar në përmbajtjen editoriale. “Kjo rrezikon seriozisht autonominë e mediave publike”, deklaroi Jan Herget.
Debati është përshkallëzuar edhe në arenën politike. Figura të opozitës, përfshirë liderin e Partisë Pirate, Zdeněk Hřib, kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Kulturës, duke e cilësuar situatën “përtej kufijve të pranueshëm”.
Ekspertët e medias theksojnë se reforma është e paqartë dhe e rrezikshme. Analisti Jan Motal vlerëson se projektligji “e kalon financimin nën kontroll shtetëror pa garantuar mbrojtjen e pavarësisë”.
Shqetësimet ndahen edhe nga figura të njohura të gazetarisë. Gazetari Václav Moravec, i cili u largua së fundmi nga Televizioni Çek, deklaroi publikisht se institucioni nuk mund të garantojë më pavarësinë e tij.
Ndërkohë, edhe opinioni publik mbetet i ndarë. Sipas sondazheve, 68% e qytetarëve çekë nuk shohin dallim mes tarifave të licencës dhe financimit nga buxheti i shtetit, një faktor që mund të lehtësojë miratimin e reformës.
Projektligji është ende në proces dhe kërkon miratimin e qeverisë dhe parlamentit. Instituti Ndërkombëtar i Shtypit ka paralajmëruar se ndryshimet e propozuara mund të “dobësojnë pavarësinë financiare dhe editoriale të mediave publike”, duke vënë në rrezik rolin e tyre në shërbim të publikut.