Një person i dyshuar është arrestuar për sulmin me armë në Darkën e Korrespondentëve në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Donald Trump, anëtarë të kabinetit dhe të gjithë të ftuarit në sallë u larguan menjëherë në vende të sigurta.
Autoritetet kanë identifikuar të dyshuarin si 31-vjeçarin Cole Tomas Allen, nga Kalifornia. Ai ishte i armatosur me një pushkë gjahu (shotgun), një pistoletë dhe disa thika. Sipas shefit të përkohshëm të Policisë së Uashingtonit, Jeffrey Carroll, ai shkëmbeu zjarr me forcat e rendit kur u ndalua dhe më pas u arrestua.
Motivi i sulmit ende nuk është përcaktuar, ndërsa i dyshuari pritet të dalë para gjykatës të hënën. Ai përballet me dy akuza: përdorim i armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm dhe sulm ndaj një oficeri federal me armë të rrezikshme, tha prokurorja amerikane Jeanine Pirro.
Çfarë dihet deri tani për ngjarjen:
Sipas policisë, sulmuesi dyshohet se ka vepruar i vetëm dhe besohet se ka qëndruar në hotelin Washington Hilton, ku po zhvillohej darka. Dhoma e tij është sekuestruar dhe po kontrollohet.
Një oficer i Shërbimit Sekret u qëllua gjatë ngjarjes, por është liruar nga spitali. Jeleku mbrojtës i tij ka ndihmuar në shmangien e një tragjedie më të madhe.
Autoritetet thanë se i dyshuari nuk u qëllua, por u dërgua në spital për kontroll mjekësor.
Sipas të dhënave publike, ai ka punuar si mësues dhe zhvillues i video lojërave në Kaliforninë Jugore dhe ka studiuar inxhinieri në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni (Caltech).
Presidenti Trump ka deklaruar se ekipi i tij i sigurisë nuk kishte informacione për ndonjë kërcënim para darkës.
CNN raportoi se një nga gazetarët e tyre ndodhej jashtë sallës kur pa sulmuesin duke qëlluar në tokë, vetëm disa hapa larg tij.
Sulmi është dënuar nga ligjvënës në SHBA dhe liderë botërorë, të cilët kanë shprehur lehtësim që Trump nuk u lëndua dhe kanë vlerësuar reagimin e shpejtë të forcave të sigurisë.
/CNN/Reporteri.net/