×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Haradinaj: Mbrëmë u përmbys autokrati Albin Kurti

    Reporteri
    29 Prill 2026 | 14:13

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mbrëmë është përmbysur autokrati Albin Kurti, duke shtuar se tani vendimmarrja i takon sovranit.

    Në një shkrim në Facebook, një ditë pasi vendi shkoi në zgjedhje, Haradinaj ka thënë se në zhvillimet e fundit “ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti”, duke theksuar se është dëshmuar rezistenca e opinionit publik dhe faktorëve politikë për të mos lejuar, sipas tij, shkatërrimin e rendit politik dhe kushtetues të vendit.

    “Ka fituar koncepti se nuk ka individ e as parti që mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit”, ka shkruar Haradinaj, ndërsa shtoi se Kosova ka humbur gjashtë vjet nën këtë qeverisje, por se “prej sot nis një etapë e re për shtetin”.

    Haradinaj theksoi se është përmbysur, siç e quajti ai, “koncepti i partisë-shtet”, duke akuzuar se një individ ka tentuar të përqendrojë pushtetin.

    “Tash fjalën e ka sovrani, i cili mban mend e nuk falë. Vendimmarrja i është kthyer atij”, deklaroi ai.

    Në fund, Haradinaj ka thënë se AAK-ja ka qenë bashkëpunuese dhe e angazhuar për tejkalimin e krizës politike, ndërsa kritikoi kundërshtarët për, sipas tij, fokusim të tepruar në pushtet.

    “Për Kosovën deri në frymën e fundit!”, shkroi ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!