Një aktivitet në grup në natyrë, një herë në javë, mund të jetë antidoti ideal ndaj vetmisë, duke ndihmuar në përmirësimin e mirëqenies së të moshuarve që jetojnë në shtëpi kujdesi, sipas një studimi të ri të Universitetit të Helsinkit.

Studimi zbuloi se daljet dhe aktivitetet me fokus natyrën përmirësuan disa aspekte të shëndetit të të moshuarve të brishtë, si gjumi, funksionet njohëse, kujtesa dhe ndjenja e lidhjes me natyrën. Vlen të theksohet se këto përfitime u vunë re pas vetëm 9 javësh sesionesh në grup që zhvilloheshin një herë në javë.

Sipas profesoreshës Kaisu Pitkälä, drejtuese e Departamentit të Mjekësisë së Përgjithshme dhe Kujdesit Shëndetësor Parësor në Universitetin e Helsinkit, rezultatet tregojnë se edhe një program relativisht i shkurtër mund të bëjë diferencë të madhe.

Reklamë

“Aktivitetet në grup një herë në javë mund të ulin vetminë e të moshuarve dhe të përmirësojnë gjumin dhe kujtesën e tyre, si dhe ndjenjën e lidhjes me natyrën”, tha ajo, duke shtuar se gjetjet nënvizojnë rëndësinë e aksesit në hapësira të jashtme dhe mjedise natyrore.

Në studim morën pjesë 319 të moshuar, me moshë mesatare 83 vjeç, që jetonin në shtëpi kujdesi dhe raportonin vetmi, ndërsa pak më shumë se gjysma kishin probleme me kujtesën. Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në një grup që merrte pjesë në aktivitete në natyrë dhe në një grup kontrolli.

Programi përfshinte ekskursione në natyrë dhe aktivitete të organizuara jashtë. Studiuesit vunë në dukje se përfitimet vinin jo vetëm nga ekspozimi ndaj mjediseve natyrore, por edhe nga mbështetja e ndërsjellë mes pjesëmarrësve dhe përmbajtja domethënëse e sesioneve.

Rezultatet pozitive ishin veçanërisht të rëndësishme, pasi shumë pjesëmarrës ishin të brishtë, me probleme të shumta shëndetësore dhe me vështirësi praktike në pjesëmarrje. Moti, transporti dhe lëvizshmëria përbënin sfida, pasi shumë prej tyre lëviznin me karrige me rrota ose pajisje ndihmëse.

Megjithatë, pavarësisht pengesave, këto aktivitete rezultuan efektive në uljen e ndjenjës së vetmisë, përmirësimin e gjumit dhe funksionit njohës. Doktoresha Pitkälä u shpreh se një program më afatgjatë mund të sillte rezultate edhe më të mira.

Reklamë

Studimi nxori në pah “barrën e fshehur” të vetmisë që shpesh ndiejnë banorët e shtëpive të kujdesit për të moshuar. Më shumë se gjysma e të moshuarve në këto institucione përjetojnë vetmi, të cilën Dr. Pitkälä e përshkroi si një rrezik shëndetësor të krahasueshëm me duhanpirjen dhe obezitetin.

“Vetmia nuk është diçka që mund ta shohësh nga jashtë, duhet t’i pyesësh njerëzit”, tha ajo.

Në kuadër të programit, studiuesit trajnuan 52 udhëheqës në shtëpitë e kujdesit në Helsinki. Që atëherë, këta udhëheqës kanë ndihmuar në lidhjen e të moshuarve me natyrën brenda institucioneve të kujdesit. Projekti bazohet në programin “Circle of Friends” të Shoqatës Finlandeze për Mirëqenien e të Moshuarve, i cili ka tërhequr më shumë se 13 mijë të moshuar në aktivitete në grup në mbi 100 komuna. Pas përfundimit të programit zyrtar, 65% e grupeve vazhduan të funksionojnë në mënyrë të pavarur.

Gjetjet sugjerojnë se qasja e thjeshtë dhe e organizuar në natyrë, e kombinuar me ndërveprimin social, mund të ofrojë një mënyrë praktike për të mbështetur shëndetin emocional dhe njohës të të moshuarve që jetojnë në shtëpi kujdesi.

Reklamë