Trupat e dy zhytësve italianë që vdiqën në një aksident zhytjeje në Maldive janë gjetur, tha një zëdhënës i qeverisë së Maldiveve të martën, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë edhe trupat e dy të tjerëve.
Zhytësit ishin pjesë e një grupi prej pesë personash që hynë në një shpellë të thellë nënujore javën e kaluar. Trupi i njërit prej tyre – instruktori – ishte nxjerrë që të premten.
Trupat u ngritën deri në thellësinë 30 metra nga një ekip i specializuar zhytësish finlandezë, të cilët iu bashkuan kërkimeve këtë javë, dhe më pas zhytësit maldivianë dhe policia ndihmuan për t’i nxjerrë në sipërfaqe, tha për Reuters zëdhënësi Mohamed Hussain Shareef.
“Identitetet ende nuk janë konfirmuar, por dimë se bëhet fjalë për një trup mashkulli dhe një trupi femre,” tha ai.
Grupi që hyri në shpellë udhëhiqej nga Monica Montefalcone, 51 vjeçe, profesoreshë në Universitetin e Genovës dhe ekologe detare, e cila ishte zhytëse e rregullt në ujërat e Maldiveve në Oqeanin Indian, dhe përfshinte gjithashtu vajzën e saj.
Autoritetet e Maldiveve po hetojnë disa faktorë të mundshëm të aksidentit – incidenti më vdekjeprurës i zhytjes në historinë e vendit – përfshirë nëse zhytësit kanë zbritur më thellë sesa ishte parashikuar.
Dy trupat e mbetur pritet të nxirren të mërkurën, sipas planit të qeverisë.
/Reporteri.net/