Gjykata më e lartë e Italisë ka vendosur se një hotel me pesë yje në Dolomite ka vepruar ligjërisht kur refuzoi t’i ofronte ujë çezmeje një turistje.
Gruaja argumentoi pa sukses se “uji është një burim natyror dhe një e drejtë universale e njeriut”, pasi një kamarier i ofroi vetëm ujë mineral në shishe me çmim 7 euro në restorantin e hotelit me pesë yje Hotel Sassongher në Corvara gjatë sezonit të skive në vitin 2019.
Gjykata Supreme Italiane refuzoi kërkesën e saj për 2,700 euro si kompensim për dëmtim emocional dhe humbje ekonomike, raportojnë mediat italiane.
Silvio Belardi, avokati që përfaqësonte hotelin, citohet nga gazeta Corriere Alto Adige të ketë thënë se gjykata vendosi që “nuk ekziston detyrimi për të furnizuar ujë çezme”.
Turistes iu refuzua uji në një hotel në Corvara në rajonin italian të Dolomiteve.
Raportet mediatike thonë se ajo fillimisht e kishte paraqitur padinë në një gjykatë më të ulët në Romë. Ato nuk kanë konfirmuar identitetin apo prejardhjen e saj.
Ajo pretendoi se të drejtat e saj si konsumator ishin shkelur kur stafi refuzoi kërkesën e saj për ujë çezme, duke thënë se kjo ishte pjesë kyçe e shërbimit të hotelit dhe e krahasoi me “gjetjen e një shtrati me çarçafë” dhe “sapun në banjë”.
Gjykatësit e Gjykatës Supreme e hodhën poshtë pretendimin e saj, duke vendosur se ligjet dhe rregulloret italiane nuk i detyrojnë lokalet t’u ofrojnë ujë çezme klientëve dhe se vendimi për ta shërbyer atë i takon çdo lokali individualisht.
Lokalet me licencë në Angli dhe Uells janë ligjërisht të detyruara të ofrojnë ujë të pijshëm falas sipas kërkesës./Reporteri.net/