Negociatat për programin bërthamor të Iranit do të jenë “shumë teknike” dhe mund të zgjasin me muaj, tha të martën Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Diplomati më i lartë amerikan tha se një fazë e tillë do të varej nga rihapja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
“Faza e dytë është që ata duhet të angazhohen për negociata shumë specifike mbi fatin e uraniumit shumë të pasuruar që ende ndodhet i varrosur thellë në një mal diku”, tha Rubio para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.
“Ata duhet të bien dakord për negociimin e kufizimeve të rënda dhe afatgjata, dhe/ose anulimin e aktivitetit të pasurimit të uraniumit në vendin e tyre.”
“Natyrisht, këto janë çështje shumë teknike, kështu që nuk mendoj se mund të zgjidhen brenda pesë ditësh. Kjo do të kërkonte që një ekip ekspertësh të takohej për një periudhë prej 30, 60 ose 90 ditësh dhe të përpunonte detajet, por ata duhet të angazhohen se janë të gatshëm ta bëjnë këtë,” tha Rubio.
Rubio la të kuptohet se Teherani kishte “pranuar të negociojë disa aspekte të programit të tij bërthamor”, por nuk dha hollësi se cilat aspekte dhe vuri në dukje se çdo negociatë “nuk garanton se në fund do të çojë në një marrëveshje të pranueshme për Senatin ose për popullin amerikan.”
Ai tha se fillimisht Irani duhet të njoftojë se ngushtica është e hapur, pa tarifa kalimi, dhe se do të heqë minat detare dhe nuk do të qëllojë mbi anijet.
Sipas Rubios, Shtetet e Bashkuara nuk i kanë ofruar Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të hapjes së ngushticës, duke theksuar se heqja e sanksioneve do të varet nga përmbushja e kushteve të caktuara./Reporteri.net