Anthony Joshua pritet të rikthehet në ring më 25 korrik, kur do të përballet me shqiptarin Kristian Prenga në një meç të financuar nga Arabia Saudite. Nëse ai arrin të fitojë meçin me Prengën, pritet të hapet rruga për duelin e shumëpritur kundër rivalit britanik Tyson Fury.
Por çfarë vjen pas kësaj? Sipas vetë Joshuas, mund të jetë një aventurë në artet marciale të përziera (MMA), shkruan Gazeta Online Rporteri.net.
Në një intervistë për revistën The Ring, Joshua bëri të ditur se po e konsideron seriozisht mundësinë e një ndeshjeje në MMA, duke theksuar se do të ishte interesante që një boksier të kalonte në këtë sport, pasi shumë luftëtarë të MMA-së kanë provuar më parë boksin.
“Më besoni, po mendoja pse të mos kaloj edhe unë në territorin e tyre, pasi ata vazhdimisht po vijnë në territorin tonë. Natyrisht, ky është biznes i madh. Po flasim për boksin e madh, për peshat e rënda. Po flasim për më të mirët në disiplinat e tyre të zgjedhura – MMA, kikboks. Këta nuk janë amatorë, por luftëtarë me përvojë. Megjithatë, do të ishte mirë që njëri prej nesh të kalonte në anën e tyre dhe të shihte se si do t’ia dilnim atje”, tha Joshua.
Gjatë intervistës, gazetari Rick Reeno sugjeroi se në MMA nuk ka aq shumë para sa në boks. Megjithatë, Joshua nuk u pajtua me këtë vlerësim, duke lënë të kuptohet se një paraqitje e tij në kafaz do të tërhiqte interes të madh dhe do të gjeneronte fitime të konsiderueshme.
“Atëherë bëhet biznes i madh”, tha Joshua. “MMA, kikboks apo boks – mund të realizohet. Besoj se duhet të ndodhë. Mendoj se kjo është gjëja e radhës që njerëzit duan të shohin.”
Megjithëse Joshua pranoi se ka pasur boksierë që kanë provuar MMA-në më parë, si James Toney, i cili pësoi humbje të thellë ndaj Randy Couture në raundin e parë në vitin 2010, ai duket i intriguar nga ideja për t’u bërë superylli i parë i madh i boksit, në kulmin e karrierës së tij, që do të kalonte në MMA.
“Ata vazhdimisht po vijnë në territorin tonë”, përsëriti ai. “Do të ishte interesante të shihnim se kush do të jetë i pari që do të kalojë në territorin e tyre.”
Joshua nuk është i vetmi peshë e rëndë elitare që po flet për këtë mundësi. Deontay Wilder ka flirtuar prej kohësh me idenë e një ndeshjeje në MMA. Ndërkohë, Oleksandr Usyk ka lënë të kuptohet prej më shumë se një viti se mund të kalojë në MMA dhe madje ka përfshirë elemente të këtij sporti në stërvitjet e tij.
Sa i përket aspektit financiar, argumenti nuk është se MMA-ja në përgjithësi paguan më pak se boksi, por se Ultimate Fighting Championship zakonisht nuk ofron pagesa aq të larta sa boksi për sportistët e saj.
Në fakt, kurrë më parë nuk ka pasur aq shumë para që qarkullojnë në MMA sa tani, me Most Valuable Promotions në kërkim të spektaklit të radhës të madh dhe me Netflix të gatshëm të paguajë shuma të konsiderueshme për duele që tërheqin vëmendjen e publikut.
Megjithatë, para se të flitet për aventura të tjera, Joshua duhet fillimisht të mposhtë Kristian Prenga dhe më pas të zhvillojë përballjen e shumëpritur me Tyson Fury. Vetëm pas kësaj mund të diskutohet seriozisht për një kalim të mundshëm në MMA.