×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026 / Konferenca

    KQZ tregon se kur pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

    Reporteri
    08 Qershor 2026 | 17:08

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sipas planifikimeve aktuale të KQZ-së, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pritet të shpallen deri më 26 qershor, nëse procesi nuk përcillet me ankesa.

    Në një konferencë për media, Elezi tha se ky afat është paraparë në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja që në fillim të procesit zgjedhor, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sipas planifikimeve të vendosura nga ana e KQZ-së në planin e aktiviteteve të miratuara qysh në fillim të këtij procesi, në rast se nuk ka ankesa, shpallja e rezultateve përfundimtare planifikohet të bëhet deri më datën 26 qershor. Ky është planifikim në planin operacional të KQZ-së”, ka deklaruar Elezi.

    Ai shtoi se certifikimi i rezultateve përfundimtare është planifikuar të bëhet deri më 6 korrik.

    Megjithatë, Elezi theksoi se bëhet fjalë për afate të planifikuara, pasi dinamika e procesit varet nga zhvillimi i aktiviteteve zgjedhore dhe puna në qendrat e numërimit.

    “Certifikimi i rezultateve përfundimtare planifikohet të bëhet deri më datën 6 korrik. Të gjitha këto janë planifikime, pasi gjithçka varet nga ecuria e aktiviteteve dhe dinamika e proceseve që zhvillohen në këto qendra”, tha ai.

    Sa i përket votimit jashtë Kosovës, Elezi bëri të ditur se në 30 përfaqësi diplomatike kanë votuar 22,414 qytetarë nga 27,724 të regjistruar, që përbën 80.85 për qind të pjesëmarrjes.

    “Nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi në 30 përfaqësi diplomatike, nga 27,724 shtetas të regjistruar, kanë votuar 22,414 prej tyre, apo 80.85%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 104,480. Nga ky lloj votimi, KQZ ende nuk i ka të dhënat përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime, pasi ende nuk ka përfunduar tërheqja e tyre nga kutitë postare”, shtoi Elezi.

    Elezi po ashtu tha se nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi në 30 përfaqësi diplomatike, nga 27,724 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 22,414 prej tyre apo 80.85%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 104,480 votues.

    “Nga ky lloj votimi, KQZ ende nuk ka të dhënat përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi ende nuk ka përfunduar tërheqja e tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, deri në orën 16:00 (e hënë, 8 qershor 2026) nga 20 kutitë postare në Berlin (41,561); Bern (23,356); Tiranë (9); Budapest (73); Shkup (63); Pragë (46); Stamboll (179); Zagreb (210); Hagë (238); Paris (3,470); Stokholm (4,633); Podgoricë (128); Ljubljana (891); Londër (1,383); Prishtinë (2,005); Oslo (654); Vjenë (2,570); Bruksel (1,195); Kopenhagë (348); Romë (1,820) – janë tërhequr 84,832 pako të supozuara me fletëvotime.”, u shoreh ai.

    Sipas Elesit, pas procedurave, para fillimit të numërimit të fletëvotimeve nga këto lloje votimi, KQZ do të bëjë skanimin e listave të votuesve, të cilat janë përdorur në vendvotime.

    “Ky skanim, ndihmon KQZ që të verifikojë nëse ka ndonjë rast të votimit të dyfishtë. Gjithashtu, pas tërheqjes së fletëvotimeve nga votimi me postë do të bëhet verifikimi i tyre nëse janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Pra, këto janë disa nga aktivitetet, të cilat duhet të kryhen brenda disa ditëve në QNR, për t’u bërë i mundur fillimi i numërimit të fletvotimeve që i takojnë votimit me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe të votimit jashtë Kosovës.”, tha ai.

    Elezi, ka bërë të ditur se pas përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit të votave për subjektet politike në të gjitha vendvotimet e rregullta, ka nisur procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).

    Sipas Elezit, numërimi i votave të subjekteve politike është përmbyllur në 2,498 vendvotime, ndërsa materialet zgjedhore nga 949 qendra votimi janë tërhequr dhe janë dërguar në 38 Qendra Komunale të Numërimit.

    Ai ka sqaruar se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votat për subjektet politike numërohen në vendvotime menjëherë pas përfundimit të votimit, ndërsa votat për kandidatët për deputetë numërohen në QKN.

    “Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në Qendrat Komunale të Numërimit do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime”, ka thënë Elezi.

    Ai bëri të ditur se procesi do të zhvillohet në të 38 QKN-të e vendit me dy orare pune, ndërsa në këtë proces janë angazhuar mbi 2,200 anëtarë në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje.

    Sipas Elezit, rezultatet e numërimit të kandidatëve për deputetë do të publikohen në mënyrë progresive në platformën e rezultateve, duke ofruar transparencë të plotë për publikun.

    Ai njoftoi se paraditen e së hënës procesi ka nisur në 15 komuna, ndërsa gjatë pasdites ka filluar edhe në 23 komunat e tjera të vendit.

    Duke folur për aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Elezi tha se KQZ-ja ka organizuar edhe votimin me kusht, votimin përmes ekipeve mobile për personat me nevoja të veçanta dhe votimin jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës.

    “Sipas të dhënave preliminare, në 52 vendvotime me kusht në 38 komuna janë evidentuar 8,751 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërsa në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta kanë qenë të regjistruar 3,144 votues”, ka deklaruar Elezi.  /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!