Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë thirrje për organizimin e zgjedhjeve të reja brenda partisë, pas tri palë zgjedhjesh në vend brenda 18 muajve.
Në një postim në Facebook, Gashi ka thënë se LDK-ja ka nevojë për reflektim dhe ndryshim, duke theksuar se rezultatet e reja nuk mund të arrihen duke vazhduar me të njëjtën qasje.
Ai ka kërkuar një proces zgjedhor demokratik dhe gjithëpërfshirës, ku secili anëtar të ketë të drejtë të kandidojë ose të rikandidojë, ndërsa vendimi të merret përmes votës së lirë të anëtarësisë.
“Prandaj, bëj thirrje që të ulemi, të dialogojmë dhe të dakordohemi për zgjedhje të reja partiake, në një kohë të përshtatshme dhe me rregulla të drejta për të gjithë”, ka shkruar Gashi.
Ai ka theksuar se lidershipi nënkupton guximin për të marrë vendime të vështira dhe për të hapur rrugë për ndryshim, në vend të ruajtjes së status quo-së.
Sipas tij, LDK-ja duhet ta rikthejë besimin, të forcohet dhe të përgatitet për të ardhmen përmes një procesi që bashkon anëtarësinë.
“Jo për ta ndarë LDK-në, por për ta bashkuar. Për ta ruajtur të kaluarën, por për ta ndërtuar të ardhmen. Koha për një fillim të ri është tani”, ka përfunduar Gashi.