Christian Erikseni ka thënë se është “mirë” dhe është kthyer në shtëpi nga spitali pasi u rrëzua gjatë miqësores së Danimarkës kundër Ukrainës.

Erikseni, 34 vjeç, u rrëzua në minutën e 65-të të ndeshjes në Odense më 7 qershor.

Takimi u ndërpre dhe më pas u anulua, ndërsa Danimarka ishte në epërsi 2–1, edhe pse lojtari kishte rifituar vetëdijen dhe ishte larguar në këmbë nga fusha.

Reklamë

Mesfushori i dikurshëm i Manchester Unitedit, Brentfordit dhe Tottenham Hotspurit u dërgua fillimisht në spital, ku mjeku i kombëtares, Morten Boesen, konfirmoi se gjendja e tij ishte stabile.

Më vonë, Erikseni reagoi edhe vetë në “Instagram”, duke sqaruar se po ndihej mirë dhe se ishte kthyer në shtëpi me familjen e tij.

Ai theksoi se kjo situatë ishte ndryshe nga ajo e vitit 2021 në EURO 2020, kur kishte pësuar arrest kardiak në ndeshjen kundër Finlandës.

Erikseni shpjegoi se incidenti i fundit ishte shkaktuar nga një “goditje” e pajisjes së tij ICD (defibrilator i implantuar), e cila është vendosur për ta mbrojtur nga ritmet e rrezikshme të zemrës.

Ai shtoi se falë mjekëve dhe pajisjes, ICD ka funksionuar siç duhet dhe ka bërë pikërisht atë që është projektuar të bëjë: ta mbrojë jetën e tij.

Reklamë

Në mesazhin e tij, ai falënderoi stafin mjekësor, shokët e ekipit dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur, duke theksuar se tani fokusi i tij është rikuperimi, familja dhe kalimi i kohës me fëmijët.

Pas incidentit, një ekspert kardiologjie, Sadi Raza, tha se ka shumë gjasa që ICD të ketë dhënë një shkarkim elektrik për shkak të një ritmi të rrezikshëm të zemrës, megjithëse kjo ende duhet të konfirmohet pas analizave të plota