Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Driton Selmanaj, ka reaguar ndaj pretendimeve se kryesia e degës nuk e ka përkrahur atë për shkak të qëndrimit të tij ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Selmanaj ka mohuar se është mbajtur apo kërkuar ndonjë mbledhje e kryesisë lidhur me qëndrimin kundër Abdixhikut.
“Si kryetar i Degës, ju njoftoj me përgjegjësi të plotë se asnjë thirrje dhe asnjë kërkesë nuk kemi pasur për mbledhje të kryesisë së degës lidhur me pretendimet e ngritura në këtë artikull”, ka deklaruar Selmanaj.
“Ky lajm tendencioz ka për qëllim të vetëm krijimin e amullisë, konfuzionit dhe përçarjeve artificiale brenda strukturave tona, duke u përpjekur të dëmtojë imazhin tonë pikërisht në këtë kohë kur secili lajm ka të bëjë me LDK-në dhe debatet e brendshme”, ka thënë ai.
Selmanaj ka theksuar se Dega e LDK-së në Prizren mbetet e bashkuar dhe në koordinim të plotë.
“LDK në Prizren mbetet plotësisht e bashkuar dhe në koordinim të plotë me njëri-tjetrin”, është shprehur ai.
Në fund, ai u bëri thirrje mediave që të verifikojnë informacionet para publikimit.
“Secili gazetar dhe secila medie duhet të na kontaktojë para se të japë lajme të pavërteta me qëllim dëmtimin e LDK-së. Gazetaria e përgjegjshme ka për detyrë profesionale verifikimin e fakteve dhe jo shndërrimin në vegël të propagandave të qëllimshme”, ka përfunduar Selmanaj.