Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e importit të produketeve ushqimore të stabilimentit “AD Mlekarna Tetovo” nga Maqedonia e Veriut, si dhe të largohet ky stabiliment nga lista e stabilimenteve të aprovuara për import në Kosovë.
AUV-ja ka thënë se vendimi i marrë më 6 nëntor ishte pas kontrolleve të vazhdueshme zyrtare dhe analizave laboratorike që kanë evidentuar në mënyrë të përsëritur praninë e bakterit Escherichia coli (E.coli) në produktet e këtij stabilimenti.
“Gjatë periudhës prill–tetor 2026, AUV ka raportuar 11 testime me rezultate mikrobiologjike të pakënaqshme. Analizat janë kryer nga laboratorët e AUV-së, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe laboratori Food Lab në Maqedoninë e Veriut. Produktet e testuara përfshijnë krem të bardhë, produkte të tipit urda dhe përgatitje ushqimore me yndyrë bimore, përfshirë produktet Natura Sharplaninska, Olios dhe Bianco Vacuum. Produktet e këtij stabilimenti janë importuar në Kosovë përmes operatorëve ekonomikë Vizioni M.Z.I, Dauti Komerc dhe Delfini L.T.D, të identifikuar në dokumentacionin e kontrolleve zyrtare. Të gjitha dërgesat për të cilat kontrollet dhe analizat laboratorike kanë konstatuar rezultate të pakënaqshme janë refuzuar në pikat e kontrollit kufitar dhe nuk janë lejuar të vendosen në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
AUV-ja ka thënë se prania e E.colit mund të tregojë mangësi në trajtimin e lëndës së parë, higjienën e pajisjeve, përpunimin apo kushtet sanitare të prodhimit. AUV-ja ka thënë se largimi i “AD Mlekarna Tetovo” nënkupton se më produkte të këtij stabilimenti nuk mund të transportohen ligjërisht në Kosovë.
“Largimi i AD Mlekarna Tetovo nga lista e stabilimenteve të aprovuara nënkupton se produktet e prodhuara nga ky stabiliment nuk mund të importohen më ligjërisht në Republikën e Kosovës për sa kohë që vendimi mbetet në fuqi. Kjo masë nuk kufizohet vetëm në produktet apo lotet ku janë konstatuar mospërputhje, por zbatohet ndaj të gjithë stabilimentit prodhues, pavarësisht se cili operator ekonomik kërkon t’i importojë produktet e tij. Për konsumatorët e Kosovës, kjo përbën një masë parandaluese shtesë, e cila synon të ndalojë hyrjen e produkteve nga një stabiliment që ka shfaqur probleme të përsëritura mikrobiologjike, deri në plotësimin dhe verifikimin e kërkesave ligjore për sigurinë ushqimore”, thuhet nga AUV-ja.
Po ashtu është AUV-ja ka njoftuar se për vendimin është njoftuar zyrtarisht edhe Maqedonia e Veriut.
“Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim dhe kërkesave për higjienën dhe kriteret mikrobiologjike të produkteve ushqimore. Për ndalimin e importit dhe largimin e stabilimentit nga lista e subjekteve të aprovuara është njoftuar zyrtarisht edhe autoriteti kompetent i Maqedonisë së Veriut. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe AUV do të vazhdojnë kontrollet e intensifikuara në kufi dhe në tregun e brendshëm, për të garantuar respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore nga të gjithë operatorët, vendorë dhe të huaj. Mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve mbetet prioritet dhe asnjë produkt që nuk përmbush kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore nuk do të lejohet të hyjë apo të mbetet në tregun e Republikës së Kosovës”.