Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se Kosova nuk mund të dalë nga kriza, po që se partia e parë “nuk e zhvillon instinktin e bashkëpunimit”.

Në një shkrim në Facebook, Haziri ka thënë se “veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është parti që ka shkaktu procese dhe ka realizu ëndrra. Ne e kemi mbajtë fjalën me të gjitha partitë për agjendën e Republikës! Ne jemi për bashkëpunim për procese politike, për normalizim e stabilizim të Republikës. Nuk nxirret vendi nga kriza nëse partia e parë nuk e zhvillon instinktin e bashkëpunimit. E kundërta është me shkaktu procese. Nëse doni me na provu qysh shkaktohen proceset, pyetne PDK-në. Nëse doni me e kuptu qysh bashkëpunohet, pyetne AAK-në! Edhe BE, NATO e gazi amerikan janë procese strategjike! Unë jam për Republikën dhe bashkëpunimi është shpirti i saj”, ka shkruar ai.

Reklamë

Gjatë kësaj jave, Haziri ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia e parë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.

Haziri, ka deklaruar për REL se votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri./Reporteri.net/