Maroku ka shkaktuar një tjetër surprizë në Kupën e Botës 2026, duke eliminuar Holandën në fazën e 1/16-ave pas ekzekutimit të penalltive. Pas barazimit 1-1 në 120 minuta lojë, afrikanët triumfuan 3-2 nga pika e bardhë, duke siguruar një vend në fazën e 1/8-ave, ku do të përballen me Kanadanë.

Takimi i zhvilluar në Monterrey të Meksikës ishte i ekuilibruar në pjesën e parë, e cila u mbyll pa gola. Maroku krijoi më shumë raste edhe në fillimin e pjesës së dytë, por portieri Bart Verbruggen mbajti në lojë Holandën me disa pritje vendimtare.

Në minutën e 72-të, Crysencio Summerville përfitoi nga shpejtësia e tij dhe, edhe pse i rrëzuar, arriti të shërbente për Cody Gakpo, i cili shënoi për 1-0. Sulmuesi holandez ia dedikoi golin foshnjës së tij të palindur, të cilën ai dhe bashkëshortja e humbën vetëm pak ditë më parë, në një moment tepër emocionues.

Reklamë

Kur dukej se Holanda po shkonte drejt kualifikimit, Maroku reagoi në kohën shtesë. Në minutën e parë të shtesës, një krosim i Talbit u shfrytëzua nga Diop, i cili me një goditje me kokë barazoi shifrat në 1-1 dhe e dërgoi sfidën në 30 minutat shtesë.

Me rezultatin e pandryshuar edhe pas kohës shtesë, fituesi u vendos nga penalltitë. Maroku u tregua më i saktë, duke fituar 3-2, ndërsa për Holandën gabuan Justin Kluivert, Kenneth Taylor dhe Crysencio Summerville.

Me këtë sukses, Maroku avancon në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2026, ku do të përballet me Kanadanë, ndërsa Holanda mbyll para kohe aventurën e saj në turne.