Trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, ka shpërthyer me akuza pas humbjes dramatike 3:2 ndaj Argjentinës në Kupën e Botës, duke pretenduar se skuadra e tij është dëmtuar nga vendimet gjatë ndeshjes.
Në konferencën për media pas përfundimit të takimit, Hassan tha se futbollistëve të tij u është bërë padrejtësi dhe vuri në pikëpyetje drejtësinë në futboll.
“Pse nuk ka drejtësi në sport? Në futboll? Nuk dua të përpiqem ta them me fjalë të bukura. Sot na është bërë padrejtësi. Kemi vuajtur padrejtësi”, deklaroi trajneri egjiptian.
Hassan zbuloi gjithashtu se Federata Egjiptiane e Futbollit kishte kundërshtuar caktimin e arbitrit francez, François Letexier, për këtë përballje.
“Ne e kishim kundërshtuar përzgjedhjen e një gjyqtari të tillë”, u shpreh ai.
I revoltuar me zhvillimet e ndeshjes, tekniku egjiptian tha se nuk do ta ndjekë më pjesën e mbetur të Kupës së Botës, duke e cilësuar këtë si një formë proteste.
“Është mënyra ime e të folurit dhe e të ngriturit të zërit. Nuk do të shikoj asnjë minutë të pjesës së mbetur të kësaj Kupe Bote”, përfundoi Hassan.