Një aksion i Policisë së Kosovës i ndërmarrë në Podujevë ka çuar në arrestimin e një 26-vjeçari, i cili dyshohet se merrej me shpërndarjen dhe shitjen e substancave narkotike. Gjatë të njëjtit aksion, një 19-vjeçar është proceduar penalisht pasi u kap me marihuanë, të cilën deklaroi se e kishte siguruar nga i dyshuari.
Operacioni nisi rreth orës 00:10 në kuadër të planit operativ “Parandalimi i veprave penale dhe incidenteve”.
Policia ndaloi në fshatin Obranq 19-vjeçarin A.R… Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën 0.86 gramë marihuanë.
Gjatë intervistimit, ai deklaroi se drogën e kishte blerë në kafiterinë “Sonn Cafe”.
Pas informacionit të siguruar nga 19-vjeçari, njësitë policore u zhvendosën në rrugën “Xhemajl Mustafa”, në afërsi të kafiterisë në fjalë, ku ndaluan të dyshuarin kryesor, E. H. (26 vjeç).
Gjatë kontrollit të detajuar, Policia sekuestroi dëshmitë e mëposhtme materiale:
Substancë narkotike: 13 qese me peshë totale 17.36 gramë
Pajisje komunikimi : 3 telefona mobilë
Pajisje matëse dhe përpunuese: 1 peshore digjitale dhe 2 bluarëse
Mjete të rrezikshme: 1 thikë
Materiale paketimi: 2 pako letrash OCB
E. H. është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar procedura për veprat penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Posedim i paautorizuar i narkotikëve” A. R. (19 vjeç) është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i është kaluar për hetime të mëtejshme Njësisë së Antidrogës, e cila do të vazhdojë zbardhjen e plotë të rrjetit dhe aktivitetit të dyshuar kriminal.