Udhëheqësi i një sekti në Kenia, Paul Mackenzie, është dënuar me 200 vjet burg për vdekjen e 191 personave, 190 prej të cilëve ishin fëmijë.

Viktimat vdiqën si pasojë e abuzimit sistematik dhe urisë, në kuadër të një ceremonie fetare, shkruan CNN, përcjell KosovaPress.

Mackenzie, themeluesi i kishës “Good News International”, u dënua të premten nga Gjykata e Lartë e Mombasës, së bashku me më shumë se dy duzina të akuzuarish të tjerë. Dënimi prej 200 vitesh burg është ndarë në dy pjesë: 100 vjet për vrasje të shkaktuara nga uria dhe 100 vjet të tjera për viktima të vrara përmes dhunës së drejtpërdrejtë.

Reklamë

Gjyqi zbuloi se si Mackenzie i bindi ndjekësit e tij të braktisnin shtëpitë dhe të shkonin në pyllin e largët Shakahola, në Kenian lindore. Atje, ai u premtoi se agjërimi do t’i afronte më shumë me Zotin dhe do t’i përgatiste për të shkuar në parajsë. Mësimet e tij bazoheshin në besime rreth fundit të botës, sipas një raporti të Senatit kenian, ai predikonte se bota do të merrte fund në gusht të vitit 2023.

Sipas planit, fëmijët duhej të vdisnin të parët, të ndjekur nga të rinjtë dhe gratë, ndërsa burrat duhej të qëndronin gjallë sa për të varrosur trupat, përpara se të vdisnin edhe vetë.