Delegatja e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shqipe Pantina, ka deklaruar se vendimi i delegatëve për të vazhduar mandatin e Lumir Abdixhikut në krye të partisë është dëshmi e funksionimit të demokracisë së brendshme.
Pantina ka bërë të ditur edhe rezultatin e votimit, sipas të cilit 170 delegatë kanë votuar pro vazhdimit të mandatit të Abdixhikut, 152 kundër, ndërsa pesë kanë abstenuar.
“Rezultati është se Abdixhiku vazhdon të mbetet kryetar. Shpresoj se tash do të flitet përpara. 170 për, 152 kundër dhe pesë abstenime. Demokracia ka fituar. Unë i respektoj vendimet e shumicës. Nuk ka rëndësi a pajtohem unë apo jo, ka folur shumica. Sot vota ka qenë demokratike”, ka deklaruar Pantina.
Pas përfundimit të votimit për besimin ndaj kryetarit, Kuvendi i LDK-së pritet të vazhdojë punimet pas rreth 30 minutash, ndërsa aktualisht kryesia e partisë është duke diskutuar për pikat e mëtejshme të rendit të ditës.