Pas Kuvendit të jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Lumir Abdixhiku u konfirmuar sërish në krye të partisë, Kuvendi ka nxjerrë disa vendime përmes së cilave obligon Grupin Parlamentar për të respektuar vendimet e partisë.

Masat u morën pas zhvillimeve në LDK ku u një pjesë e delegatëve dorëzuan nënshkrime për mbajtjen e Kuvendit për shkarkimin e Abdixhikut, por ky i fundit i mbijetoi votëbesimit.

Një pikë për të cilën ka marrë vendim Kuvendi i LDK-së bën fjalë për “respektimin dhe zbatimin e vendimeve të shumicës”.

Reklamë

“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë dhe këtë të sotmin”.

Ndërsa në pikën pasuese thuhet se moszbatimi i vendimeve të partisë ose veprimi publik kundër qëndrimit zyrtar të partisë mund të çojë në ndërmarrjen e masave.

Kjo pikë është konsideruar problematike dhe ka nxitur reagime të njerëzve brenda LDK-së.

Deputetja Janina Ymeri ka reaguar duke publikuar në rrjetet sociale një pjesë nga neni 70 i Kushtetutës së Kosovës, i cili rregullon mandatin e deputetëve.

Në postimin e saj, Ymeri ka shkruar: “KOSOVA 🇽🇰 Djep i Demokracisë ❤️”, ndërsa ka shpërndarë tekstin e nenit që thekson se deputetët janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, si dhe se mandati i deputetit fillon në ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Reklamë

Ka reaguar edhe, Arben Gashi. Ai ka thënë se LDK-në “nuk e frikëson as presioni nga jashtë, as sfidat nga brenda”.

“Demokracia është themeli i saj. Liria është shpirti i saj. Veprimi politik është misioni i saj. Ndërsa qëndrimi i palëkundur për të vërtetën është vetë arsyeja e ekzistencës së saj. Për këtë LDK angazhohem. Në këtë LDK besoj. Për këtë LDK qëndroj. Jam në politikë jo për të mbrojtur interesa të përkohshme, por për të ndërtuar një LDK më të fortë, më demokratike dhe më besnike ndaj idealit të saj”, ka shkruar ai.

Muhamet Hamiti nga LDK-ja po ashtu ka reaguar  duke publikuar nenet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që përkufizojnë dhe përcaktojnë mandatin e deputetit të Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj këtyre vendimeve të Kuvendit të fundit të LDK-së.

Të enjten, në Kuvendin e partisë, Lumir Abdixhiku ka arritur t’i rezistojë procesit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke mos u shkarkuar nga pozita e kryetarit të partisë.

Reklamë

Kryetari i sapokonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij është e hapur për rikthim të menjëhershëm për negociata me Vetëvendosjen për formim të institucioneve. /Reporteri.net/