Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në një takim gjeneralmajor Stephen E. Osborn, adjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, të cilin e ka dekoruar me medaljen “Shërbim i Shquar” të Ministrisë së Mbrojtjes..

Maqedonci ka falënderuar gjeneralin amerikan për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm në mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Ajovës.

“Në shenjë mirënjohjeje për shërbimin e tij të shquar, përkushtimin dhe kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e nderova me Medaljen ‘Shërbim i Shquar’ të Ministrisë së Mbrojtjes”, ka deklaruar Maqedonci.

Reklamë

Ministri ka theksuar se partneriteti me Gardën Kombëtare të Ajovës ka luajtur rol të rëndësishëm në transformimin, profesionalizimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.

Sipas tij, ky bashkëpunim dëshmon marrëdhëniet e fuqishme strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Maqedonci ka ritheksuar se SHBA-ja mbetet aleati kryesor i Kosovës në zhvillimin dhe fuqizimin e ushtrisë së saj.