Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë zjarri pas raportimit për të shtëna gjatë një ahengu familjar në fshatin Mollopolc të Shtimes.

Sipas njoftimit të Policisë Rajonale në Ferizaj, rasti ka ndodhur të hënën, më 3 gusht 2026, rreth orës 12:00, kur policia pranoi informatë për të shtëna me armë zjarri.

“Njësia policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë identifikuar të dyshuarin me inicialet A.S. (37 vjeç), i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë dhe ka dorëzuar një armë (pistoletë), si dhe një gëzhojë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Reklamë

Policia bëri të ditur se, pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprat penale “Përdorimi i armës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

“Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti ‘Përdorimi i armës’ dhe ‘Mbajtje në pronësi dhe posedim i paautorizuar i armës’ për procedurë të mëtejme, ndërsa i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt hetimore”, njofton policia.

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos përdorin armë zjarri gjatë ahengjeve familjare dhe festimeve.

“Policia Rajonale e Ferizajt apelon te qytetarët që të mos përdorin armë zjarri gjatë ahengjeve familjare dhe festimeve, pasi një veprim i tillë rrezikon jetën dhe sigurinë e të tjerëve. Çdo rast i përdorimit të armëve do të trajtohet sipas dispozitave ligjore”, thuhet në apelin e policisë.

Po ashtu, qytetarët janë ftuar që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

Reklamë