Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike për krijimin e institucioneve të reja kanë hyrë në një fazë të re, me kryeministrin në detyrë dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që ka ftuar partitë parlamentare në takime për të diskutuar për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.

Por, deri tani, përgjigjet e partive kanë qenë të ndryshme. PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Kurti, duke përsëritur qëndrimin se nuk synojnë të bëhen pjesë e qeverisë së ardhshme.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një letre drejtuar Kurtit, ka bërë të ditur se kjo parti do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

Reklamë

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, ka shkruar Hamza.

Ai i ka kërkuar Kurtit që marrëveshjen për krijimin e institucioneve ta arrijë me partitë e tjera politike.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar ftesën. Kryetari Ardian Gjini ka deklaruar se AAK nuk ka interes të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës në asnjë format, por ka ofruar mbështetje për shmangien e zgjedhjeve të reja dhe zgjedhjen e presidentit.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka konfirmuar takimin me Kurtin. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të takohet me liderin e LVV-së të martën në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krijimin e institucioneve.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se takimi do të mbahet në orën 18:00.

Reklamë

Me afatin e afërt të seancës konstituive të 6 gushtit, takimi Kurti-Abdixhiku shihet si momenti vendimtar për të kuptuar nëse ekziston mundësi për një marrëveshje politike.