Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të shkojë “me vullnet të mirë”.
Kurti nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve të gazetarëve se me çfarë propozimi do të hyjë në takim, por tha se “hollësitë” e diskutimeve do të bëhen të ditura pas takimeve.
“Në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha Kurti.
Ai shtoi se në takim do të shkojë me gatishmëri për marrëveshje, ndërsa theksoi se detajet e diskutimeve mund të dalin vetëm pas përfundimit të takimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje.
“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, u shpreh ai.
Ndërkaq, Kurti ka thënë se e ka “në synim” konstituimin e institucioneve, duke kritikuar dy partitë tjera, PDK-në dhe AAK-në, për refuzimin e ftesave për takim.
“Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se në takimin me Abdixhikun do të shkojë bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili është edhe anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.