Ish-trajneri legjendar i Arsenalit, Arsène Wenger, është distancuar nga plani i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për shitjen e një pjese të aksioneve të Kupës së Botës investitorëve privatë, duke e cilësuar të domosdoshëm vendimin për tërheqjen e projektit.
Wenger, i cili që prej vitit 2019 mban postin e drejtorit të zhvillimit global të futbollit në FIFA, deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e hartimit të këtij plani dhe se ishte informuar për të vetëm përmes mediave.
“Nuk isha i përfshirë në këtë plan strategjik dhe u informova për projektin përmes raporteve në media. Vendimi për ta tërhequr ishte absolutisht i nevojshëm dhe pa diskutim”, tha 76-vjeçari në një deklaratë zyrtare.
Plani i FIFA-s, i bërë publik më 28 korrik, parashikonte krijimin e një filiali me vlerë 20 miliardë dollarë për administrimin e Kupës së Botës dhe turneve të tjera ndërkombëtare, duke ofruar deri në 20% të aksioneve për investitorë privatë. Sipas raportimeve të Reuters, FIFA synonte të siguronte deri në 4.2 miliardë dollarë, duke ruajtur kontrollin mbi garat.
Projekti hasi në kundërshtim të fortë, veçanërisht nga UEFA, e cila e akuzoi FIFA-n se po vinte në shitje “shpirtin e futbollit” dhe paralajmëroi edhe mundësinë e bojkotit të Kupës së Botës. Pas tërheqjes së planit, UEFA e mirëpriti vendimin, duke kujtuar se 55 federatat anëtare e kishin refuzuar njëzëri propozimin.
Sipas raportimeve, pakënaqësi ka edhe brenda FIFA-s. Sekretari i Përgjithshëm, Mattias Grafström, u ka dërguar një mesazh punonjësve të institucionit, ku e përshkruan situatën si “një seri ngjarjesh të trishtueshme dhe të qortueshme”.
Ndërkohë, presioni ndaj presidentit Gianni Infantino pritet të rritet përpara zgjedhjeve të ardhshme në FIFA, ku ai synon një mandat të ri. Mediat raportojnë se Federata e Futbollit e Uellsit ka tërhequr mbështetjen për të, ndërsa edhe Federata Angleze pritet të ndjekë të njëjtën linjë.