Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ministria që ajo drejton ka dorëzuar tri lëndë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, duke kërkuar hetimin e dyshimeve për shpronësim dhe tjetërsim të kundërligjshëm të pronës publike.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se mbrojtja e pronës publike është obligim i institucioneve dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.

“Sot kemi dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë tri lëndë për hetim, duke kërkuar zbardhjen e dyshimeve për shpronësim dhe tjetërsim të kundërligjshëm të pronës publike”, ka shkruar ajo.

Reklamë

Pacolli theksoi se askush nuk mund të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme në dëm të interesit publik, ndërsa shtoi se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për mbrojtjen e pronës publike dhe për të kërkuar llogaridhënie për çdo dyshim mbi keqpërdorimin e saj.