Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se zbatimi i marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit është ende larg nivelit për të cilin palët janë zotuar.
Në një intervistë për “Gazeta Express”, Sorensen ka thënë se ua ka bërë të qartë këtë qëndrim si kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, përkundër disa rezultateve në kuadër të dialogut, detyrimet kryesore që dalin nga Marrëveshja e vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit mbeten të pazbatuara në masën e duhur.
“Sa u përket detyrimeve thelbësore të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit, zbatimi mbetet shumë nën nivelin e asaj për të cilën të dyja palët u zotuan”, ka deklaruar Sorensen.
Ai ka theksuar se marrëveshjet janë detyruese për të dyja palët dhe se nuk bëhet fjalë për atë se kush duhet të ndërmarrë hapin e parë.
“Nuk bëhet fjalë për atë se kush e bën lëvizjen e parë. Asnjëra palë nuk ka nevojë të presë tjetrën. Të dyja palët duhet të veprojnë – pa parakushte dhe me mirëbesim”, ka thënë emisari evropian.
Duke folur për zbatimin e Aneksit të Ohrit, Sorensen ka përmendur edhe obligimet e Kosovës për negociatat rreth zbatimit të nenit 7, si dhe obligimet e Serbisë për moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pranimin e dokumenteve e simboleve të Kosovës.
Sa i përket një takimi të ri në nivel të lartë mes liderëve, Sorensen ka thënë se ai do të zhvillohet vetëm kur të dyja palët të jenë të gatshme për rezultate konkrete.
“Një takim i nivelit të lartë nuk është shpërblim dhe as mundësi për fotografi. Ai thirret kur mund të ndihmojë në arritjen e ndonjë rezultati”, ka deklaruar ai.
Sorensen ka thënë gjithashtu se përfshirja e niveleve më të larta të Bashkimit Evropian nuk mund ta zëvendësojë punën që duhet ta bëjnë vetë Kosova dhe Serbia.
“Asnjë aktor i jashtëm nuk mund t’i zbatojë këto marrëveshje në emër të tyre. Këtë mund ta bëjnë vetëm Beogradi dhe Prishtina”, ka përfunduar emisari i BE-së.