Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit me inicialet E.R., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se ka keqpërdorur mjetet financiare të investuara nga një person tjetër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet E.R.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas njoftimit, veprimet e të dyshuarit dyshohet se i kanë shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë prej rreth 500 mijë euro.
“Keqpërdorimi i mjeteve financiare është bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se kërkesa për paraburgim është paraqitur pasi janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.
“Qëllimi i kësaj mase është sigurimi i pranisë së të dyshuarit në procedurë penale, zhvillimi i papenguar i hetimeve, si dhe parandalimi i rrethanave që mund të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale”, ka njoftuar Prokuroria.