Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë shkëputur kontratat e punës për 9 zyrtarë nga institucionet vartëse të kësaj ministrie.
Sipas saj, vendimet kanë të bëjnë me 7 zyrtarë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe 2 zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), të cilët, sipas MMPH-së, kanë pasur mungesa të vazhdueshme në vendin e punës.
Pacolli ka bërë të ditur se vendimet janë marrë bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Janë shkëputur kontratat e punës për 7 zyrtarë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe 2 zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesëtarë të ish-‘Mbrojtjes Civile’”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka shtuar se me këto vendime numri i përgjithshëm i kontratave të shkëputura në kuadër të MMPH-së dhe institucioneve vartëse arrin në 29.
“Më herët janë shkëputur kontratat për 20 zyrtarë të MMPH-së, ndërsa tash edhe për 9 zyrtarë të AMMK-së dhe AKK-së”, ka bërë të ditur ministrja në detyrë.
Pacolli ka theksuar se statusi i të punësuarit duhet të shoqërohet me përmbushjen e obligimeve të punës.
“Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse zyrtari publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka deklaruar ajo.
Në njoftimin e saj, Pacolli ka përmendur edhe se këta zyrtarë janë identifikuar si pjesëtarë të ish-“Mbrojtjes Civile”, organizatë të cilën Qeveria e Kosovës e kishte shpallur organizatë terroriste në vitin 2023.